
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi të martën se i ka dorëzuar dekretin për emërimin e Zejnullah Gashit në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke thënë se vendimi u mor pas shqyrtimit të propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe dokumentacionit përkatës.
Haxhiu tha se, përveç materialeve të dorëzuara nga Këshilli Prokurorial, janë shqyrtuar edhe “informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes”.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, tha Haxhiu në një postim në Facebook.
Ajo i uroi Gashit sukses në ushtrimin e detyrës, duke e cilësuar funksionin e Kryeprokurorit të Shtetit si “një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues”.
Sipas Haxhiut, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës dhe autorëve të veprave të tjera penale duhet të marrin “përgjigje të prerë nga organi i akuzës”.
“Pres që Kryeprokurori Gashi këtë detyrë ta ushtrojë me integritet të lartë profesional e moral, paanshmëri e guxim, gjithnjë me përkushtim të lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë”, tha ajo.



