Aurona Pelaj dënohet me dy vjet e tre muaj burg për sulmin ndaj të moshuarës në “Orenda”

Gjykata Themelore në Pejë dënoi të hënën Aurona Pelajn, ish-infermiere në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dy vjet e tre muaj burg, pasi e shpalli fajtore për sulmin ndaj një gruaje të moshuar me sëmundjen Alzheimer në vitin 2022.

Sipas vendimit të gjykatës, Pelaj ushtroi dhunë fizike ndaj të moshuarës gjatë kohës kur ishte e angazhuar si infermiere në institucionin ku viktima po trajtohej.

“Për veprën penale sulmi. E pandehura Aurora shpallet fajtore për shkak se në shtëpinë e kujdesit me dashje përdor forcën ndaj personit tjetër, që për shkak të moshës së shtyrë, përkatësisht diagnozës Alzeimer, ishte e vendosur në këtë institucion për përkujdesje, në atë mënyrë që derisa e pandehura ishte e angazhuar si infermiere dhe ofronte përkujdesje ndaj të dëmtuarës, duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e saj të pambrojtur e kap të dëmtuarën në të dyja duart, ia kufizon mundësinë e mbrojtjes, e mbështet për muri, e godet disa herë me shuplakë në fytyrë, me çka ka kryer veprën penale sulmi, andaj Gjykata e gjykon me dënim me burgim prej 2 vjet e tre muaj, ku do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim nga data 02.11.2022 deri më datë 24.11.2022, ndërsa pjesa tjetër e dënimit do të ekzekutohet menjëherë pas plotshmërisë së aktgjykimit”, tha gjyqtari Alan Taranis gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Gjykata vendosi gjithashtu masën plotësuese të ndalimit të ushtrimit të profesionit të infermieres për pesë vjet, afat që fillon nga dita kur aktgjykimi të marrë formë të prerë.

Në të njëjtin rast, dy të akuzuara të tjera, të cilat ngarkoheshin për bashkëkryerje, u liruan nga akuzat.

Asnjëra prej të akuzuarave nuk ishte e pranishme në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Lexo edhe:

Back to top button