
Gjykata Speciale në Hagë ka bërë të ditur se më 16 shtator 2026, në orën 10:00, do të shpallet aktgjykimi në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, raporton Spektatori.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që pretendohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.
Trupi Gjykues thekson se shtyrja e afatit është bërë “për shkak të kompleksitetit të jashtëzakonshëm të çështjes dhe volumit të madh të provave të shqyrtuara gjatë procesit”.
Sipas njoftimit nga Specialja, “Trupi Gjykues mori dëshmi dhe prova nga rreth 270 dëshmitarë (me gojë dhe me shkrim), pranoi 5467 prova materiale dhe transkripti i gjykimit ka 29.238 faqe”.
“Trupi Gjykues gjykoi se kjo zgjatje e afatit përligjej nga nevoja për të garantuar një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të provave, si edhe nga detyrimi për të dhënë një arsyetim me shkrim që i pasqyron me saktësi ato prova”, thuhet në njoftim.
Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij – të gjithë figura të larta të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.
Fillimisht, Trupi Gjykues kishte afat deri më 19 maj 2026 për të shpallur aktgjykimin. Megjithatë, duke u thirrur në kompleksitetin e çështjes dhe vëllimin e madh të provave, ai fillimisht e shtyu afatin deri më 20 korrik 2026, ndërsa tashmë ka vendosur që aktgjykimi të shpallet më 16 shtator 2026.



