
Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se procesi për përzgjedhjen e kandidatit për president mbetet në fazën e diskutimeve ndërmjet partive politike dhe se ende nuk mund të flitet për emra konkretë.
Ajo nuk konfirmoi nëse Feride Rushiti do të jetë sërish kandidate e Vetëvendosjes për postin e presidentes, duke theksuar se procesi është ende i hapur.
“Nuk mund të flas për emra tash për shkak se ky është një proces i cili është lënë të diskutohet në mes të partive politike. Siç e dini, është thënë që priten edhe rekomandime të tjera. Zonja Feride Rushiti ishte rekomandim në momentin kur partitë opozitare atëbotë nuk kanë dhënë asnjë propozim, asnjë emër publikisht nuk e kanë përmendur”, tha Kusari-Lila.
“Ndoshta është momenti që të fillojmë t’i trajtojmë gjërat seriozisht, duke filluar prej qëndrimeve zyrtare të subjekteve politike që dakordohen dhe garantojnë për gjithë deputetët. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, të dyja herën e kaluar nuk kanë pasur propozime konkrete, nuk kanë dhënë asnjë propozim kur janë ftuar në takim për të diskutuar emrat për presidentin”, shtoi ajo.



