Tahiri: Protestat në Shqipëri janë çështje e brendshme, politikanët nga Kosova të qëndrojnë jashtë

Deputeti i rizgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se protestat që po zhvillohen në Shqipëri janë çështje e brendshme e shtetit shqiptar dhe u bëri thirrje partive politike dhe politikanëve nga Kosova të mos përfshihen në to.

I pyetur nga Ekonomia Online për pretendimet mbi përfshirjen e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat në Shqipëri, pretendime të cilat kjo parti i ka mohuar, Tahiri tha se protesta është e drejtë demokratike, por theksoi se trajtimi i saj u takon institucioneve shqiptare.

“Ajo që dua të them sa i përket protestave në Republikën e Shqipërisë është bukur e thjeshtë. Protestimi dhe demonstrimi është mjet demokratik dhe u takon institucioneve të shtetit shqiptar ta trajtojnë këtë çështje, dhe vetë atyre që i kanë kërkesat dhe shtetit shqiptar për me e trajtu”, tha ai.

“Pra, kjo nuk është çështje e brendshme e jona. Kërkesa ime është që askush prej nesh të mos ta marrë guximin as të involvohet, as të protestojë, as të vendosë kauza politike në Shqipëri, për shkak se kjo nuk e ndihmon as Shqipërinë, nuk e ndihmon as kauzën e protestuesve, nuk e ndihmon as Kosovën, mirëpo vetëm sa e vendos në konflikt të hapur shtetin shqiptar me Kosovën”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit evropian dhe çdo ndërhyrje nga jashtë mund të ketë pasoja për këtë rrugëtim.

“Shqipëria është vetëm dy hapa para anëtarësimit të vet në Bashkimin Evropian. Protesta është demokratike, se qysh e trajton shteti shqiptar dhe institucionet, është çështje e tyre. Por një gjë e di: armiqtë shekullorë të shqiptarëve, të Shqipërisë, duan me pa Shqipërinë të penguar në ecjen e saj drejt Bashkimit Evropian. Ky është procesi më historik i kombit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Është anëtarësimi në BE”, u shpreh ai.

Tahiri tha se ka parë eksponentë të Vetëvendosjes në protesta, megjithëse shtoi se nuk dëshiron të paragjykojë vetë protestën.

“Në këtë kuptim, le të jenë protestat, ndodhin, por jo të involvohen shqiptarët e Kosovës, jo të involvohen partitë politike, sepse ne kemi pa eksponentë të partisë politike të Vetëvendosjes duke protestuar dhe ne nuk e dimë pse. Nuk dua të paragjykoj protestën, nuk është e imja. Mirëpo, si dikush që ka funksion publik të lartë dhe ka pasur funksione të larta, unë e di që armiqtë e Kosovës, armiqtë e Shqipërisë dhe armiqtë e shqiptarëve e kanë bukur në agjendën e tyre pengimin e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së, portretizimin e shqiptarëve dhe lidhjen e tyre me elementin radikal islam, si dhe me agjenda jo-perëndimore. Mbi të gjitha, synimi është destabilizimi”, tha ai.

Në fund, Tahiri u bëri thirrje qytetarëve dhe partive politike në Kosovë që të mos ndërhyjnë në zhvillimet politike në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët shqiptarë duhet të vendosin vetë për udhëheqjen e vendit.

“Kam thirrje të drejtpërdrejtë për të gjithë ata: t’i këqyrim punët tona në Kosovë, sepse kemi boll probleme. Mos t’i shtrijmë duart dhe mos të involvohemi në një çështje që është e tyre, është e protestuesve, është e kërkesave dhe është e qeverisë”, shtoi Tahiri.

“Me këtë po i bëhet dëm historik shqiptarëve, Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk na takon neve ta thellojmë ndarjen, neve na takon të përçojmë mesazhe uniteti dhe t’ia lëmë qytetarëve të Shqipërisë të vendosin kë duan ta kenë udhëheqës. Protestimi është e drejtë demokratike, ndërsa involvimi i Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit shqiptar në një situatë jashtëzakonisht jetike dhe sensitive për Shqipërinë”, u shpreh Tahiri.

Lexo edhe:

Back to top button