
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, me rastin e shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve, duke theksuar lidhjen e veçantë historike dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një postim, Kurti kujtoi se “Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë”, të veçuara në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-ve, përbëjnë ndër të drejtat e patjetërsueshme mbi të cilat ndërtohet qeverisja demokratike me miratimin e popullit.
Ai vlerësoi se, ndërsa bota demokratike është frymëzuar prej këtyre idealeve për më shumë se dy shekuj, populli i Kosovës ka qenë për një kohë të gjatë i privuar nga to.
“E në këtë mes, përjetimi ynë është unik sepse për ne jetësimi i këtyre vlerave dhe të drejtave është i lidhur ngushtë me ShBA-të. Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane”, ka shkruar Kurti.
Kurti tha se mbrëmë ishte i nderuar që mori pjesë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, duke ritheksuar mirënjohjen e Kosovës ndaj aleatit të saj kryesor.
“Kosova është përherë falënderuese e mirënjohëse ndaj ShBA-ve për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme”, përfundoi Kurti.



