
Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar pas dorëheqjes së gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke drejtuar akuza të ashpra ndaj transmetuesit publik.
Në një postim të publikuar në Facebook, Kusari tha se, sipas saj, RTK nuk po e përmbush më misionin e një transmetuesi publik dhe madje sugjeroi se institucioni duhet të ndryshojë emrin.
“Radio Televizioni i Kosovës duhet ta ndërrojë emrin, duhet të quhet Radio Televizioni i Lëvizjes Vetëvendosje ose Mikrofoni i Lëvizjes Vetëvendosje”, shkroi ajo.
Kusari pretendon se RTK, sipas vlerësimit të saj, është shndërruar në një platformë që favorizon Lëvizjen Vetëvendosje dhe se ndaj gazetarëve ushtrohet presion.
“Ky televizion aktualisht e ka vetëm një mision: të transmetojë propagandë në favor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe njerëzve të saj. Këtë, sipas meje, e bën duke ushtru presion të paprecedent ndaj gazetarëve”, u shpreh ajo.
Duke komentuar dorëheqjen e Sejdës, Kusari bëri të ditur se e kishte takuar gazetaren për t’i shprehur mbështetjen, duke e cilësuar largimin nga puna si një vendim të vështirë, veçanërisht pas më shumë se një dekade angazhimi në RTK.
Ajo paralajmëroi se do ta dokumentojë rastin në platforma vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa situatën në RTK e përshkroi si “terror politik”.
“Unë, personalisht, do ta dokumentoj këtë rast dhe atë që e konsideroj si terror politik në RTK në çdo platformë vendore, rajonale, ndërkombëtare dhe globale. Marre për Lëvizjen Vetëvendosje. Marre! Turp, turp, turp”, përfundoi Kusari.



