
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, tha të martën se mungesa e një ftese për Kosovën në samitin e NATO-s në Ankara ishte pasojë e krizës së vazhdueshme politike dhe mungesës së stabilitetit institucional në vend.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Haziri tha se Kosova “u penalizua në Samitin e NATO-s në Ankara”.
“Pa dyshim, mosardhja e ftesës ndodhi si pasojë e mungesës së stabilitetit institutucional”, shkroi ai.
Sipas Hazirit, zhvillimet ndërkombëtare po ecin me ritëm të shpejtë, ndërsa Kosova mbetet e bllokuar nga krizat e brendshme politike.
“Bota po ndryshon, por jo ne. Në qarkun e mbyllur vicioz e me kriza politike”, deklaroi ai.
Nënkryetari i LDK-së u bëri thirrje forcave politike për bashkëpunim, duke vlerësuar se vetëm përmes proceseve të përbashkëta politike mund të sigurohen stabiliteti institucional dhe funksionimi normal i shtetit.
“Është koha e fundit për reflektim të thellë. Veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën. Republika mbi të gjithë!”, shkroi Haziri.



