Komuna e Prishtinës ndau 40 mijë euro për FFK-në jashtë procedurave

Një projekt prej 40 mijë eurosh, i financuar nga Komuna e Prishtinës për Federatën e Futbollit të Kosovës, është realizuar duke anashkaluar procedurat që ligji i kërkon për ndarjen e fondeve publike për organizatat joqeveritare, raporton Spektatori.

Kështu konstatohet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025, i cili evidenton se komuna ka financuar projektin “Liga e shkollave të Prishtinës” pa dëshmi se ishte zhvilluar thirrje publike, pa dokumentacion që provon aplikimin e përfituesit dhe pa prova se projekti kishte kaluar procesin e shqyrtimit dhe vlerësimit.

Në raport thuhet se, sipas nenit 2.1 të Rregullores MF nr. 04/2017, financimi publik i projekteve dhe programeve të organizatave joqeveritare duhet të bëhet vetëm përmes thirrjes publike, për organizatat që plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Megjithatë, Komuna e Prishtinës ka vepruar ndryshe.

“Gjatë auditimit kemi identifikuar se Komuna kishte financuar Federatën e Futbollit të Kosovës… në vlerë prej 40,000 euro për realizimin e projektit ‘Liga e shkollave të Prishtinës’”, thuhet në raport.

Sipas raportit, më 29 prill 2025, kryetari i Komunës, Përparim Rama, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi me Federatën e Futbollit të Kosovës, që drejtohet nga Agim Ademi.

Por, sipas auditimit, çështja nuk qëndron te marrëveshja, por te mungesa e procedurave paraprake.

Dokumentacioni i siguruar nuk ofron asnjë dëshmi se projekti kishte kaluar filtrat ligjorë, shkruan Spektatori.

“Nga dokumentacioni i siguruar nuk rezulton se ishte paraqitur kërkesë nga përfituesi, se projekti ishte shqyrtuar dhe vlerësuar, si dhe se ishte zhvilluar procedurë e thirrjes publike për përzgjedhjen e projektit.”

Në mungesë të këtyre elementeve, auditorët konstatojnë se financimi është realizuar pa dëshmi të përmbushjes së procedurave të kërkuara.

“Si rrjedhojë, financimi në vlerë prej 40,000 euro ishte realizuar pa dëshmi për përmbushjen e procedurave të kërkuara për financimin publik të OJQ-ve”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Raporti shpjegon se kjo situatë lidhet me mënyrën e financimit përmes marrëveshjes së bashkëfinancimit, pa respektuar procedurat standarde për OJQ-të.

“Kjo ka ndodhur si rezultat i financimit përmes marrëveshjes së bashkëfinancimit, pa u siguruar zbatimi i procedurave dhe dokumentacionit të kërkuar për financimin e OJQ-ve.”

Zyra Kombëtare e Auditimit paralajmëron se anashkalimi i procedurave ndikon drejtpërdrejt në transparencë dhe konkurrencë.

“Financimi i OJQ-ve pa thirrje publike zvogëlon transparencën dhe konkurrencën e barabartë, si dhe rrit rrezikun që mjetet publike të ndahen pa vlerësim të dokumentuar të nevojës, arsyeshmërisë dhe përfitimit për Komunën”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në fund, Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të sigurojë zbatimin e plotë të Rregullores MF nr. 04/2017 në çdo rast financimi, përfshirë edhe marrëveshjet e bashkëfinancimit.

Raporti përfundon duke theksuar se menaxhmenti i Komunës së Prishtinës është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e auditorit./Spektatori.com

Lexo edhe:

Back to top button