
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka deklaruar se Marrëveshja e Ohrit përbën një obligim ndërkombëtar për palët dhe nuk ka nevojë të jetë e nënshkruar për të prodhuar efekte juridike.
Duke folur të shtunën në Forumin e Dubrovnikut, Sorensen tha se statusin juridik të marrëveshjes e ka verifikuar menjëherë pasi mori detyrën, duke u konsultuar edhe me ekspertë ligjorë në Bruksel dhe Nju Jork.
“Marrëveshja e Ohrit është një zotim ndërkombëtar. Nuk bëhet fjalë për një tekst traktati”, deklaroi Sorensen.
Sipas tij, marrëveshja përmban detyrime të qarta për të dyja palët dhe Bashkimi Evropian pret që ato të zbatohen.
“Ka disa kërkesa dhe përcaktime të qarta që duhet të plotësohen”, tha ai, duke shtuar se BE-ja pret respektimin e plotë të marrëveshjes.
Sorensen theksoi se procesi i zbatimit tashmë ka nisur në disa fusha, duke veçuar përparimin në çështjen e personave të zhdukur, megjithëse pranoi se pjesë të tjera të marrëveshjes mbeten ende të pazbatuara.
“Fakti që ajo mund të mos jetë saktësisht ashtu siç e kanë paraqitur disa politikanë dëshmohet edhe nga fakti se zbatimi ka nisur në disa pjesë, veçanërisht sa i përket çështjes së personave të zhdukur. Por ka edhe çështje të tjera që kanë mbetur të pazbatuara”, u shpreh ai.
Emisari evropian iu referua edhe praktikës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke argumentuar se e drejta ndërkombëtare nuk e kushtëzon vlefshmërinë e një marrëveshjeje me ekzistencën e një nënshkrimi.
“Nuk ju nevojitet një nënshkrim që një marrëveshje ndërkombëtare, e arritur mes palëve, të jetë e vlefshme. Dialogu kishte tre palë në dhomë. Ne ishim aty kur marrëveshja u arrit dhe e mirëpritëm atë në momentin kur u arrit”, deklaroi Sorensen.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian i është referuar vazhdimisht Marrëveshjes së Ohrit në përfundimet e Këshillit të BE-së, duke nënvizuar se statusi i saj si obligim ndërkombëtar është konfirmuar edhe institucionalisht.



