
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha të mërkurën se vendi duhet të vazhdojë me formimin e institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke filluar me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë, ndërsa paralelisht duhet të zhvillohen konsultime për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Duke folur pas një aktiviteti me rastin e pesëvjetorit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Haxhiu tha se procesi duhet të zhvillohet sipas afateve kushtetuese, por pa vonuar funksionalizimin e institucioneve.
“Pas konstituimit të Kuvendit, kemi 60 ditë për të zgjedhur presidentin. Por ne, sipas rendit të gjërave, vazhdojmë me votimin e qeverisë e pastaj me çështjen e presidentit”, tha ajo.
Haxhiu shprehu pritjen që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të certifikojë sa më shpejt rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, duke rikujtuar se seanca konstituive e Kuvendit duhet të thirret brenda 30 ditëve pas certifikimit.
Sipas saj, megjithëse zgjedhja e presidentit vjen pas formimit të qeverisë, diskutimet politike për këtë post duhet të nisin paraprakisht për të shmangur vështirësitë institucionale.
“Kemi thënë që zgjidhja e duhur për këtë çështje është që ta gjejmë një kandidat që nuk është në ndonjë parti politike, pra një emër konsensual”, tha Haxhiu, duke shtuar se Kosova ka figura të shumta me kontribut publik dhe profesional që mund të shërbejnë në postin e presidentit.
Ajo u shpreh e bindur se shumica parlamentare e nevojshme për formimin e qeverisë ekziston dhe se partnerët aktualë politikë kanë shprehur gatishmëri për të mbështetur një mandat të ri të kryeministrit Albin Kurti.
“Pra i kemi më shumë se 61 vota. Prandaj mund të vazhdojmë me partnerët që i kemi pasur deri më tani”, tha Haxhiu.
Zyrtarja e Vetëvendosjes u bëri thirrje partive opozitare që të shmangin, sipas saj, qasjet bllokuese dhe të kontribuojnë në funksionalizimin e institucioneve.
“Bojkoti nuk është zgjidhje. Bojkoti është refuzuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ajo, duke argumentuar se vendi ka nevojë për institucione stabile për të përballuar sfidat e brendshme dhe të jashtme.
Haxhiu tha se shumica qeverisëse mbetet e hapur për bashkëpunim politik në funksion të stabilitetit institucional dhe zbatimit të reformave.
E pyetur nëse do të jetë sërish kandidate për kryetare të Kuvendit, ajo tha se vendimi i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nuk e di, për këtë vendos Vetëvendosja”, tha Haxhiu.



