
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se do të shqyrtonte mundësinë e kandidimit për president nëse një gjë e tillë do të mbështetej nga opozita e bashkuar, duke theksuar se një kandidaturë e përbashkët mund të rrisë ndikimin e opozitës në formimin e institucioneve të reja.
Haradinaj tha se opozita duhet të veprojë e koordinuar nëse synon të ketë rol vendimtar në proceset politike.
“Opozita mundet pra, me hy e me qenë faktor në marrjen e fatit të vendit në dorë, duke pasur një kontratë mes vete edhe një kandidaturë për president”, tha Haradinaj për KosovaPress, duke shtuar se një marrëveshje e tillë do të ishte vendimtare për ndikimin politik të saj.
Ai theksoi se nuk është aktualisht kandidat për president dhe se nuk ka kushte apo kërkesa personale, por do ta shqyrtonte një propozim të tillë nëse vjen nga opozita e bashkuar.
Haradinaj përsëriti gjithashtu qëndrimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kundër pjesëmarrjes në një qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një opsion të dëmshëm për vendin.
“Ne nuk bëhemi pjesë e qeverisjes ose vazhdimit të qeverisjes Kurti”, tha ai, duke shtuar se opozita duhet të ndërtojë një platformë të përbashkët politike.
Haradinaj tha se një bashkëpunim më i ngushtë mes partive opozitare dhe një kandidaturë e unifikuar për president do t’i jepte atyre më shumë ndikim në drejtimin politik të Kosovës.
“Ne po jetojmë në epokën Kurti, që i vjen ai kur ka një, 40% ose mbi 40 deputetë, do ta zbatojë agjendën e tij në Kosovë. Ndikimi jonë, ose ne do të mundeshim me jetu jo vetëm në epokën e tij por edhe në epokën e të tjerëve, sikur të kishim një kontratë të përbashkët si opozitë. Pra, AAK dhe LDK, PDK, edhe një plan konkret, një kandidaturë konkrete”.



