Krasniqi: Tetë ose nëntë deputetë të komuniteteve joshumicë janë gati ta votojnë Qeverinë Kurti

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha të mërkurën se deputetët e komuniteteve joshumicë janë të gatshëm të mbështesin formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, duke argumentuar se ekziston numri i nevojshëm i votave për miratimin e kabinetit të ardhshëm qeveritar.

Duke folur pas mbledhjes së Qeverisë, Krasniqi deklaroi se grupi multietnik, i përbërë nga tetë ose nëntë deputetë, është i interesuar që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja në bashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas tij, mbështetja e këtyre deputetëve do t’i siguronte shumicës së udhëhequr nga Vetëvendosje votat e nevojshme për zgjedhjen e qeverisë së re.

“Grupi multietnik, i cili është i përbërë prej 8 ose 9 deputetëve, është i gatshëm edhe i interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve, të shkojnë dhe t’i formojnë institucionet e Republikës së Kosovës, kështu që kjo garanton një numër të mjaftueshëm për votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi tha se rezultati i zgjedhjeve ka prodhuar një situatë të ngjashme me proceset e kaluara zgjedhore, duke shtuar se pritjet e qytetarëve janë që ngërçi institucional të tejkalohet dhe organet e reja të shtetit të funksionalizohen sa më parë.

Ai theksoi se Kosovës i nevojitet një qeveri e re, një Kuvend funksional dhe zgjidhja e çështjeve që lidhen me zgjedhjen e presidentit, ndërsa u bëri thirrje partive politike të reflektojnë mbi mesazhin e dhënë nga votuesit.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse në Kuvend. Për zgjedhjen e qeverisë kërkohen të paktën 61 vota, duke e bërë vendimtare mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joshumicë dhe të partnerëve të tjerë potencialë për formimin e shumicës parlamentare.

Lexo edhe:

Back to top button