
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Drenasit ka iniciuar një projekt ndërtimor në vlerë prej 284,985 euro pa përgatitur paraprakisht projektin ekzekutues, duke shkelur kërkesat e rregullores së prokurimit publik, sipas raportit të auditimit për vitin 2025.
Sipas raportit, bëhet fjalë për aktivitetin e prokurimit për ndërtimin e aneksit të shkollës SHFMU “Arif Shala” dhe “Naim Frashëri”, i cili është nisur pa dokumentacionin teknik bazë të projektit.
ZKA thekson se, sipas nenit 19.17 të Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, autoritetet kontraktuese janë të obliguara që të hartojnë dhe bashkëngjisin projektin ekzekutues së bashku me specifikimet teknike në dosjen e tenderit. Në rastin e Drenasit, kjo nuk është respektuar.
“Asnjë Autoriteti Kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkëngjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit”, thuhet në rregullore.
Auditimi konstaton se mungesa e projektit ekzekutues ka ardhur si pasojë e planifikimit të pamjaftueshëm para nisjes së procedurave të prokurimit, përfshirë mungesën e hartimit të detajuar teknik për projektin specifik.
Sipas ZKA-së, kjo praktikë rrit rrezikun për probleme gjatë fazës së zbatimit, përfshirë vonesa në punime, pengesa teknike dhe rritje të kostove të projektit.
“Një mungesë e tillë mund të shkaktojë vështirësi në realizimin e projekteve dhe ndryshime gjatë ekzekutimit të tyre”, paralajmëron raporti.
ZKA i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, që të forcojë përmes menaxhmentit të prokurimit kontrollet e brendshme dhe të sigurojë që çdo procedurë e prokurimit për punë ndërtimore të paraprihet nga hartimi i plotë i projektit ekzekutues.
Menaxhmenti i Komunës së Drenasit është pajtuar me gjetjet e ZKA-së./Spektatori.com



