
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj zëdhënësit të protestave kundër qeverisë, Dritan Goxhaj, i cili të hënën ndër të tjera kërkoi dorëheqjen e tij.
Në një reagim publik, Rama ka publikuar një dokument që, sipas tij, tregon se Goxhaj nuk ka qenë kurrë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si “manipulator gjysmë taleban dhe gjysmë mitoman”.
Duke cituar një mesazh që i është dërguar, Rama ka theksuar se, pavarësisht polemikave, nuk do të lejojë asnjë njollosje të simbolit të UÇK-së.
“Edhe po të ma falnin krejt botën, nuk hedh asnjë pikë balte mbi flamurin e UÇK-së. Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do të ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet”, ka shkruar Rama në Facebook.



