Pushteti i VV-së shpërblen “TV Llapi” me rreth 50 mijë euro

Komuna e Podujevës, e udhëhequr nga kryetari Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje, ka nënshkruar një kontratë 12-mujore në vlerë 48,300 euro me televizionin lokal “TV LLAPI” për organizimin dhe transmetimin e aktiviteteve komunale. 

Sipas të dhënave të publikuara në platformën E-Prokurimi, kontrata mban titullin “Organizimi i aktiviteteve kulturore” dhe është lidhur më 17 qershor 2026, përmes një procedure të hapur prokurimi ku kriter vlerësimi ka qenë çmimi më i ulët.

Megjithatë, sipas dokumenteve zyrtare, në garë ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, TV Llapi, i cili edhe është shpërblyer më pas nga pushteti i LVV-së, raporton Spektatori.

Vlera finale e kontratës prej 48,300 eurosh është më e lartë se parashikimi fillestar i komunës prej 40,000 eurosh. Marrëveshja është kontratë publike kornizë me çmim njësi dhe parashikon “devijim të lejuar të sasisë deri në ±30%”.

Kontrata e firmosur mes Komunës së Podujevës dhe “TV Llapi”

Sipas dosjes së tenderit, TV LLAPI obligohet të kryejë një gamë të gjerë shërbimesh që përfshijnë transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave të Kuvendit Komunal, debateve publike dhe dëgjimeve qytetare, si dhe mbulimin e manifestimeve kulturore dhe ngjarjeve të tjera komunale.

Dokumentacioni i tenderit parashikon gjithashtu prodhimin e videove dhe spoteve promovuese për komunën, ku kërkohet vendosja e logos zyrtare në fillim, gjatë dhe në fund të materialeve, si dhe përfshirja e saj në transmetime.

Po ashtu, kontrata përfshin edhe shërbime teknike për aktivitete publike për nevojat e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Tenderi është iniciuar më 4 maj 2026 dhe është finalizuar me një ofertë të vetme të pranuar.

Shërbimet që do t'i kryejë "TV LLapi" sipas dosjes së tenderit
Shërbimet që do t’i kryejë “TV LLapi” sipas dosjes së tenderit

Mediumi “TV LLAPI”, sipas të dhënave nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), është regjistruar në vitin 2017 dhe figuron në pronësi të kompanisë “VISION TV”, e cila udhëhiqet nga Rozafat, Murat dhe Besfort Maloku.

Në një raportim nga VOX Kosova më 19 qershor, Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Xhelal Sveçla, ka nënshkruar një kontratë në vlerë 522 mijë euro me kompaninë “Telkos”, e ndarë në dy lote për shërbime interneti. Kompania “Telkos” është pronare e televizionit “TëVë1”./Spektatori.com

 

Lexo edhe:

Back to top button