Haziri: Pa bashkëpunim ndërpartiak, Kosova mbetet në rreth vicioz krizash politike

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka theksuar nevojën për bashkëpunim ndërpartiak dhe institucional si rruga e vetme për tejkalimin e krizave politike në vend, duke vlerësuar se pa një qasje të përbashkët nuk mund të arrihet stabiliteti dhe funksionaliteti i plotë i institucioneve.

Në një reagim në Facebook, Haziri ka falënderuar qytetarët dhe mbështetësit e LDK-së për besimin e treguar në zgjedhjet e 7 qershorit, raporton Spektatori.

“Faleminderit për secilin qytetar që i qëndroi besnik LDK-së dhe ruajti besimin për të më zgjedhur njërin nga 18 përfaqësuesit e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Duke folur për situatën politike pas zgjedhjeve, Haziri ka thënë se Kosova ka nevojë për një agjendë të qartë zhvillimore dhe strategjike, duke shtuar se “çdo opsion që arrin marrëveshje gjithëpërfshirëse, programin zhvillimor dhe agjendën strategjike duhet ta ketë në qendër të saj”.

Ai ka theksuar se ndarja e përgjegjësive institucionale duhet të vijë në fund të procesit politik, pasi fillimisht duhet të sigurohet dakordimi për programin dhe prioritetet e vendit.

Sipas Hazirit, bashkëpunimi politik është kyç edhe për rolin e Kosovës në rajon, ndërsa ka paralajmëruar se ciklet e shpeshta zgjedhore dëmtojnë stabilitetin institucional dhe zhvillimin e vendit.

Ai po ashtu deklaroi se “Republika e Kosovës i ‘duron’ zgjedhjet e shpeshta vetëm kur e kujton që mundet me mbetë edhe pa zgjedhje një ditë”.

“Nje njeri dhe nje parti është kauzë e humbur me 17 shkurt! Republika, mbi të gjithë”, përfundoi Haziri.

Lexo edhe:

Back to top button