Kërçeli i kundërpërgjigjet Hotit pas thirrjes për protesta: Mbrojeni LDK-në, për aleancën me SHBA ka kush kujdeset

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka reaguar të shtunën ndaj thirrjes së ish-kryeministrit Avdullah Hoti për organizimin e një proteste në mbështetje të projektit për gazin natyror të lëngshëm (LNG) me prejardhje amerikane.

Hoti, ish-deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ish-kryeministër, ka kërkuar organizimin e një proteste demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan, duke thënë se refuzimi i tij nga Qeveria e Kosovës dëmton ekonominë dhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kërçeli e ka ironizuar thirrjen e Hotit, duke thënë se nuk ka nevojë për shqetësim për aleancën me SHBA-të.

“Ta mbrojmë me protestë aleancën tonë me SHBA-të, tha një deputet dhe ish-kryeministër i LDK-së. Ooo mbrojeni LDK-në, sepse po ju ndërrohet qiramarrësi. Për aleancën me SHBA-të ka kush kujdeset dhe e mbron”, ka shkruar Kërçeli në një postim të shtunën në Facebook..

Pas këtij reagimi, Hoti ka thënë se kundërshtarët e protestës nuk kanë adresuar qëndrimet e zyrtarëve amerikanë dhe të Odës Ekonomike Amerikane lidhur me projektin e gazit.

“Çuditërisht, për çështjen e gazit nuk dëgjuan reagimet e zyrtarëve të Administratës Amerikane dhe Odës Ekonomike Amerikane, por u ra në vesh menjëherë sapo u përmend zëri i qytetarëve dhe protesta”, ka shkruar Hoti në rrjetin e tij social Facebook.

Ai ka shtuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të trajtohet si çështje e politikës ditore, duke pyetur kritikët: “Pse frikësoheni nga qytetarët?”.

Nga ana tjetër, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka thënë më 4 qershor se Kosova duhet të hyjë në një partneritet afatgjatë energjetik me SHBA-në përmes projektit LNG, duke theksuar se kjo do të ndihmonte sigurinë energjetike të vendit.

Në një opinion të publikuar në mediat kosovare, ajo tha se bashkëpunimi do të forconte sigurinë energjetike dhe ekonomitë e të dy vendeve.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është i përfshirë në projektet për zgjerimin e ndikimit energjetik amerikan në rajon.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës të cituara nga Prattipati, vendi ka shpenzuar rreth 735 milionë euro për import të energjisë elektrike në katër vitet e fundit.

Në Samitin Transatlantik për Sigurinë e Gazit në Uashington në shkurt 2026, ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për furnizim me gaz natyror nga SHBA, duke e cilësuar bashkëpunimin si “vendimtar”.

Megjithatë, gjatë javëve të fundit, ndërsa SHBA dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje energjetike me disa vende të rajonit, Kosova nuk është përfshirë në këto iniciativa.

Në projektet rajonale janë përfshirë Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe ndërtimin e një tubacioni që synon diversifikimin e furnizimit me gaz.

Kosova mbetet jashtë rrjetit të ndërlidhjes rajonale të gazit, por potencialisht mund të lidhet përmes Shqipërisë ose Maqedonisë së Veriut.

Lexo edhe:

Back to top button