
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se zgjedhja e presidentit duhet të paraprijë formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duke e cilësuar si jokushtetuese çdo tentim për mandatim të kryeministrit pa një president të ri.
Në një intervistë për A2 CNN, Hasani tha se, sipas interpretimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, procedurat institucionale duhet të nisin me zgjedhjen e presidentit, i cili më pas mandaton kandidatin për kryeministër.
“Mandatimi prej Haxhiut, i kujtdo qoftë, është jo kushtetues… duhet të zgjedhet presidenti pastaj qeveria”, tha Hasani.
Ai shtoi se çdo devijim nga kjo rrugë do ta bënte situatën jokushtetuese dhe do të rikthente, sipas tij, bllokada institucionale të ngjashme me të kaluarën.
Hasani për qasjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti tha se mesazhi i tij është i qartë: “e zgjedh presidentin ashtu siç them unë”.
Ai kritikoi gjithashtu Kurtin, duke thënë se ai kërkon një sistem politik me “lojalitet absolut” dhe pa kontroll institucional.
“Kur thotë atë, e ka parasysh një rend pa kushtetutë, pa ligje, pa norma… ai kërkon një robot, një lojalitet absolut”, tha Hasani.
Hasani shtoi se në proceset zgjedhore janë shpenzuar “qindra milionë euro”, duke i lidhur ato me ndikim në votë nga buxheti i shtetit.
Ai tha se çdo kandidat për president duhet të refuzojë të luajë rolin e “kukullës” politike, duke përmendur edhe -ish-presidenten Vjosa Osmani, për të cilën tha se ka pasur rol periferik në zhvillimet e fundit politike.



