Zeka: Kosova rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në duke mos iu bashkuar projektit të gazit amerikan

Kosova po dërgon sinjale negative ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke mos iu bashkuar projekteve rajonale për gazin e lëngshëm natyror (LNG), ka thënë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online.

Sipas Zekës, përfshirja në projektet e LNG-së amerikane ka rëndësi jo vetëm energjetike, por edhe strategjike dhe gjeopolitike, ndërsa mungesa e angazhimit nga Kosova mund të ndikojë negativisht në raportet me aleatin kryesor të vendit.

Ai tha se zgjerimi i rrjetit të gazit të lëngshëm natyror amerikan në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor ka qenë prioritet i administratave amerikane për më shumë se një dekadë.

“Shtrirja e rrjetit të gazit të lëngshëm natyror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtetet e Evropës, përfshirë edhe Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mbetet një nga aspektet më të rëndësishme të politikës amerikane…”, tha Zeka për Ekonomia Online.

Ai shtoi se pas nisjes së luftës në Ukrainë, vendet evropiane kanë reduktuar varësinë nga gazi rus dhe janë orientuar drejt furnizimeve me LNG nga SHBA.

“Prej nisjes së konfliktit në Ukrainë… shtetet e Evropës kanë bërë kalimin nga varësia në gazin rus drejt gazit të lëngshëm natyror amerikan”, tha ai.

Zeka tha se Kosova po jep një mesazh të gabuar duke mos u përfshirë në këto iniciativa, duke shtuar se vendi është i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk i është bashkuar projekteve të tilla.

Ai përmendi edhe takimet e zhvilluara në Uashington, duke thënë se Kosova nuk është zotuar për pjesëmarrje në nismat për zhvillimin e infrastrukturës së LNG-së, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit.

Sipas tij, mungesa e përfshirjes mund të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet me SHBA-në dhe në proceset euro-atlantike të Kosovës.

“Besoj që këtu do të ishte humbja më e madhe… do të rrezikonim edhe prioritetet tona shtetërore si integrimi euro-atlantik”, tha Zeka.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet e zgjerimit të rrjetit të LNG-së amerikane në rajon.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur interes për projekte alternative energjetike, përfshirë gazifikimin e qymyrit, që sipas kryeministrit Albin Kurti mund të realizohet me kompani amerikane.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë thirrje të vazhdueshme për përfshirjen e Kosovës në projektet e LNG-së, duke paralajmëruar për rritje të kërkesës dhe kostove të energjisë në vend.

Ndërkohë, Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina kanë hyrë në iniciativa për zgjerimin e rrjeteve të gazit në bashkëpunim me SHBA-në dhe kompani amerikane.

Lexo edhe:

Back to top button