
Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, nuk e ka përfunduar ende procesin e klasifikimit dhe grupimit të pozitave të punës, ndonëse afati ligjor për këtë ka skaduar në maj të vitit 2024, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2025.
Sipas auditorëve, rregullorja për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil obligon institucionet që ta përgatisin klasifikimin dhe grupimin e pozitave brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e saj.
Megjithatë, në IML ky proces ende nuk është finalizuar, ndërsa klasifikimi ndodhet në procedurë shqyrtimi në Zyrën Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë.
ZKA ka konstatuar se si pasojë e mosfinalizimit të këtij procesi, një numër i konsiderueshëm pozitash vazhdojnë të mbulohen me ushtrues detyre, përfshirë edhe drejtorin e IML-së, Agron Thaqi, raporton Spektatori.
“Gjatë vitit 2025 janë evidentuar gjithsej 10 pozita udhëheqëse të mbuluara me ushtrues detyre”, thuhet në raport.
Sipas auditorëve, kjo situatë ka ardhur si rezultat i mungesës së veprimeve organizative dhe administrative nga zyrtarët përgjegjës për zbatimin e rregullores brenda afatit të përcaktuar.
ZKA vlerëson se vonesa nuk përbën vetëm mospërputhje me kërkesat ligjore, por mund të ketë pasoja edhe në funksionimin e institucionit.
“Mosfinalizimi i klasifikimit dhe grupimit të pozitave të punës në IML brenda afatit të kërkuar ligjor ka reflektuar edhe në mbulimin e shumë pozitave me ushtrues detyre. Kjo mund të ndikojë në vendimmarrje jo të qëndrueshme dhe menaxhim jo të mirë të burimeve njerëzore”, thuhet në raport.
Për këtë arsye, auditorët i kanë rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të IML-së që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për finalizimin e klasifikimit dhe grupimit të pozitave të punës në përputhje me rregulloren dhe katalogun e vendeve të punës.
Menaxhmenti i entitetit është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e auditorëve.
Aktualisht, Donika Gërvalla është ministre në detyrë e Drejtësisë. Paraprakisht, këtë pozitë e mbante Albulena Haxhiu, e cila tash mban funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentes.
Edhe drejtori i IML-së, Agron Thaqi, ashtu si Gërvalla dhe Haxhiu, është ushtrues detyre që nga 23 korriku 2025, pas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë./Spektatori.com



