61 zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit marrin paga pa dalë asnjë ditë në punë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar mungesë të theksuar të evidencave për vijueshmëri në punë dhe angazhim real të punonjësve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), duke ngritur dyshime për pagesa të kryera pa dokumentim të mjaftueshëm të punës së realizuar.

Sipas raportit të auditimit për vitin 2025, 61 punonjësit e angazhuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit nuk janë të sistemuar në pozita të rregullta dhe, sipas të dhënave të administruara, nuk rezulton se ushtrojnë aktivitete konkrete brenda ministrisë.

ZKA thekson se gjatë vitit 2025 janë paguar rreth 469,885 euro për këta punonjës, në mungesë të evidencave për vijueshmëri në punë apo angazhim efektiv, raporton Spektatori.

“Pagesat e realizuara pa evidenca për vijueshmëri dhe angazhim përbëjnë shpenzime të paarsyetuara dhe cenojnë parimet e transparencës dhe llogaridhënies publike”, thuhet në raport.

Auditimi shton se e njëjta çështje është evidentuar edhe në vitet paraprake, por nuk janë ndërmarrë masa për ta adresuar.

“Situata paraqet sfidë serioze për ministritë përkatëse në sistemimin e punonjësve dhe përcaktimin e detyrave të qarta të punës”, thekson raporti.

ZKA rekomandon Ministrinë e Mjedisit që të analizojnë gjendjen dhe të ndërmarrë veprime konkrete për zgjidhjen e çështjes, në përputhje me kërkesat ligjore dhe parimet e punës efektive në administratën publike.

Menaxhmenti i ministrisë është pajtuar me gjetjet e ZKA-së./Spektatori.com

Lexo edhe:

Back to top button