Aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të “Pastrimit”: 89 punësime jashtë procedurave, mbi 114 mijë euro dëm

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, duke pretenduar se veprimet e tyre i kanë shkaktuar ndërmarrjes një dëm prej mbi 114 mijë eurosh.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Burim Kelmendi, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KRM “Pastrimi”, dyshohet se gjatë viteve 2020 dhe 2021 ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit.

Aktakuza pretendon se ai ka nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, përfshirë 37 kontrata me afat të caktuar, pa shpallur konkurs publik, ndërsa personat e punësuar kanë ushtruar detyra në pozita të rregullta pune.

“Veprimet janë ndërmarrë në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit të Punës, duke mos shpallur konkurs publik dhe duke vazhduar më pas kontratat në fjalë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, Kelmendi po ashtu ka nxjerrë vendime për avancimin e punonjësve pa respektuar procedurat përkatëse, duke i shkaktuar buxhetit të ndërmarrjes dëm në vlerë prej 114,535.06 euro.

Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.Rr., i cili në atë kohë ushtronte detyrën e koordinatorit në KRM “Pastrimi”, akuzohet për ushtrim të ndikimit, raporton Spektatori.

Prokuroria pretendon se gjatë marsit të vitit 2021 ai ka kërkuar dhe marrë nga 1,500 euro nga disa persona, duke u premtuar se do të ndikonte te kryeshefi ekzekutiv për punësimin e tyre në kompani.

Sipas aktakuzës, N.Rr. ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash në lidhje me punësimin e disa personave.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.

Bordi i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” kishte shkarkuar më 8 korrik 2022 nga pozita e kryeshefit ekzekutiv Burim Kelmendin, me arsyetimin se ai kishte keqmenaxhuar ndërmarrjen.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte deklaruar atë kohë se shkarkimi ishte bërë për shkak të mosrealizimit të objektivave për rritjen e kapitalit të kompanisë.

“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm”, shkruante Rama në Facebook.

Lexo edhe:

Back to top button