Abdixhiku: Strukturat e LDK-së janë të mençura, nuk bien pre e propagandës anti-LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim në Shtime me strukturat e partisë, të cilin e ka cilësuar si takim falënderimi.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka vlerësuar lart organizimin dhe angazhimin e strukturave të LDK-së, duke i përshkruar ato si “të mençura, të pjekura dhe, mbi të gjitha, të qarta”.

Sipas tij, strukturat e partisë “nuk bien pre e propagandës anti-LDK tashmë të zakonshme e bajate, e as nuk ngatërrohen në identifikimin e oportunistëve politik”.

“Ato e dinë mirë çfarë përfaqësojnë dhe për çfarë angazhohen. Mbi të gjitha, nuk lejojnë që mundi e puna e tyre e përditshme të shpërdorohen e rezultatet t’u injorohen. Janë falënderuese”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka theksuar se “kur ke njerëz të tillë pas vetes, është e lehtë t’i përfaqësosh me dinjitet e respekt”, duke shtuar se mesazhi nga takimet në terren është i qartë.

Ky reagim i Abdixhikut vjen pas kritikave të disa zyrtarëve të LDK-së lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit, ku partia nuk arriti pritshmëritë e saj elektorale.

Lexo edhe:

Back to top button