Krasniqi “godet” lidershipin e LDK-së: Nga 13 në 16 – “dobët shumë dobët”

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar me tone kritike për zhvillimet brenda partisë, duke thënë se LDK-ja “është më e madhe se çdo interes personal”.

Në një status në Facebook, Krasniqi tha se kur pritjet ndërtohen mbi “spektakël e jo mbi organizim”, rezultati zgjedhor sipas saj vjen si “verdikt pa emocione”, raporton Spektatori.

“Pra, nga 13 në 16, dobët shumë dobët”, ka shkruar ajo, duke komentuar rezultatin e partisë, teksa hodhi kritika edhe ndaj lidhershipit të LDK-së.

Ajo ka kritikuar mënyrën e organizimit të brendshëm dhe procesin e bashkimit brenda LDK-së, duke thënë se në terren janë krijuar ndarje dhe janë anashkaluar aktivistë të vjetër të partisë.

“U tha se ‘bashkimi i madh’ do ta kthente fitoren në realitet. Ndërkohë, në terren u krijuan ndarje, u anashkaluan aktivistë që e kanë mbajtur partinë në ditët më të vështira”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas saj, në politikë nuk mjaftojnë “fotografitë apo duartrokitjet”, por vetëm vota është ajo që e mat suksesin.

“Në politikë matesh me votë. Dhe kur vota nuk e konfirmon premtimin, atëherë duhet përgjegjësi”, ka theksuar ajo.

Krasniqi ka kërkuar reforma të thella brenda partisë, duke thënë se ndryshimi duhet të nisë nga lidershipi.

“Reforma nuk fillon nga poshtë. Reforma fillon nga lart”, ka shkruar ajo, duke shtuar se nuk mund të kërkohet besim pa ndryshime reale në qasje dhe përfaqësim.

Ajo ka kritikuar edhe, siç e quan, mungesën e identitetit të qartë politik brenda partisë, duke thënë se LDK-ja nuk mund të ndërtojë besim me paqartësi të brendshme.

Në fund, Krasniqi ka bërë thirrje për reforma rrënjësore dhe bashkim rreth vizionit të partisë.

“LDK nuk ka nevojë për iluzione fitoreje. Ka nevojë për respekt ndaj njerëzve që e mbajnë gjallë çdo ditë”, ka përfunduar ajo.

Lexo edhe:

Back to top button