Ish-ministri Endrit Shala dënohet me 2 vjet burgim për “konflikt interesi”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim dënues ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, duke e dënuar me dy vjet burgim për veprën penale “Konflikt interesi”, pas rikualifikimit të akuzës nga “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, raporton Spektatori.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Kujtim Krasniqi.

Gjykata ka konstatuar se në këtë rast nuk janë vërtetuar elementet e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ndërsa Shala është shpallur fajtor për “Konflikt interesi”. Dënimi me burg do të ekzekutohet pasi vendimi të marrë formën e prerë.

Përveç dënimit, i akuzuari është obliguar të paguajë edhe shpenzimet e procedurës, përkatësisht 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Shala nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit.

Lexo edhe:

Back to top button