Aktakuza e Speciales: Radoiçiqi urdhëroi barrikadat në Veri, por nuk është i akuzuar

Prokuroria Speciale në aktakuzën për barrikadat në Veri e përmend disa herë emrin e Millan Radoiçiqit, duke e përshkruar atë si person që ka pasur rol udhëheqës në strukturat që lidhen me organizimin e barrikadave të dhjetorit 2022.

Sipas aktakuzës të siguruar nga Spektatori, pas ndalimit të Dejan Pantiqit nga Policia e Kosovës në Jarinje më 10 dhjetor 2022, strukturat ilegale serbe dhe grupet kriminale në veri kanë filluar mobilizimin dhe organizimin e bllokimeve rrugore.

Prokuroria pretendon se pas marrjes së urdhrave nga Milan Radoiçiç, janë vendosur barrikada në zonën e Zubin Potokut dhe në pjesë të tjera të Mitrovicës së Veriut.

Në dokument thuhet se strukturat dhe grupet e përmendura kanë bllokuar rrugët me kamionë, ekskavatorë, autobusë dhe mjete të tjera të rënda, duke penguar qarkullimin dhe punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës, raporton Spektatori.

Prokuroria pretendon gjithashtu se grupet e kontrolluara nga personat e tjerë të përfshirë në aktakuzë, me në krye Millan Radoiçiqin, kanë ushtruar presion ndaj disa qytetarëve serbë që të dalin dhe të qëndrojnë në barrikada.

Në aktakuzë përmendet se barrikadat kanë qëndruar nga 10 deri më 29 dhjetor 2022 dhe se gjithsej kanë qenë 16 barrikada në veri.

Po ashtu, dokumenti përmend një takim në Rashkë të Serbisë më 28 dhjetor 2022, ku sipas aktakuzës morën pjesë Millan Radoiçiq, ish-kryetarë të komunave veriore dhe ish-policë të dorëhequr, ku u diskutua largimi i barrikadave pas kërkesës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, pavarësisht se emri i Radoiçiqit përmendet në përshkrimin e ngjarjeve dhe rolit të pretenduar nga Prokuroria, ai nuk figuron në listën e personave të akuzuar në këtë aktakuzë konkrete. /Spektatori.com

Lexo edhe:

Back to top button