
Ish-deputetja Aida Dërguti, e cila iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) para zgjedhjeve të 7 qershorit, është renditur në vendin e 51-të në listën e kandidatëve të këtij subjekti politik, sipas rezultateve të deritanishme të numërimit të votave.
Të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se deri më tani janë numëruar 70.90% e votave, ndërsa Dërguti ka siguruar 3,549 vota, raporton Spektatori.
Me këtë rezultat, ajo mbetet larg zonës së kandidatëve që pritet të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës nga lista e PDK-së.
Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve, PDK-ja pritet të ketë 24 deputetë në legjislaturën e re. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje pritet të sigurojë 48 ulëse në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 20 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8 deputetë.
Procesi i numërimit vazhdon, teksa renditja dhe numri kandidatëve nga partitë politike mund të pësojë ndryshime deri në përfundimin e plotë të numërimit.



