
Sot, më 7 qershor, 1,959,962 qytetarë me të drejtë vote kanë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Ky proces shënon zgjedhjet e pesta që mbahen brenda një periudhe më të shkurtër se një vit e gjysmë.
Votuesit do të zgjedhin përbërjen e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, si dhe qeverinë e re të vendit. Procesi zgjedhor organizohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime.
Prej tyre, 911 qendra votimi me 2,498 vendvotime janë të dedikuara për votimin e rregullt, ndërsa në 38 qendra të tjera – nga një në secilën komunë – janë vendosur 52 vendvotime për votimin me kusht.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në listën e votuesve brenda vendit figurojnë 1,959,962 persona me të drejtë vote. Në këtë numër nuk përfshihen 132,212 shtetas të Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë, qoftë përmes postës apo në përfaqësitë diplomatike.
Në garën për Kuvendin e Kosovës marrin pjesë 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë. Gjashtë prej tyre janë subjekte shqiptare, të cilat me 465 kandidatë synojnë të fitojnë 100 ulëset parlamentare. Ndërkohë, subjektet e komuniteteve joshumicë garojnë për 20 ulëset e garantuara. Nga numri i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 janë gra.



