
Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke thënë se më 7 qershor do të ndërpritet, siç u shpreh ai, “keqpërdorimi i parasë publike”, derisa ka shprehur bindjen se PDK-ja do të rikthehet fuqishëm në qeverisje me Bedri Hamzën në krye.
Në një intervistë për Spektatorin, Tahiri deklaroi se PDK-ja do të rikthehet “aty ku e ka pasur vendin”, duke theksuar se Kosova ka pasur zhvillim më të madh në periudhën kur vendi është udhëhequr nga kjo parti.
Ai e quajti Bedri Hamzën “burrë të dëshmuar”, duke shtuar se PDK-ja do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Në të njëjtën kohë, Tahiri tha se shumë themelues të partisë nuk janë pjesë e listës aktuale zgjedhore, ndërsa për Fatmir Limajn u shpreh se është “një burrë me shumë vlera”, raporton Spektatori.
Tahiri ka drejtuar kritika të forta ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të cilin tha se “është sjellë si fëmijë”, ndonëse është “Zot shtëpie”, duke e akuzuar për mungesë të projekteve kapitale dhe rritje të korrupsionit.
Sipas tij, Kurti nuk ka realizuar premtimet që ka dhënë gjatë qeverisjes, derisa paralajmëroi “fundin” e tij në pushtet. Ai tha gjithashtu se “kjo klasë politike duhet të shkojë në opozitë”, duke kërkuar reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje.
Duke folur për çështjet sociale, Tahiri tha se shtesat për fëmijë duhet të rriten, duke pyetur se “çka bën një nënë me 30 euro për fëmijën e vet?”.
Megjithatë, ai theksoi se për çështjen e veriut duhet të ketë unitet politik, pavarësisht kush është kryeministër.
“Për Veriun duhet të jemi të gjithë bashkë me Albin Kurtin”, deklaroi ai.
Tahiri komentoi edhe raportet mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Kurti, duke pyetur pse Osmani nuk ka folur më herët për dëmet që, sipas tij, i ka shkaktuar Kurti, por reagoi vetëm pasi “nuk e bëri presidente”.
Ai e quajti këtë një “betejë jo-parimore”. Në intervistë, ai foli edhe për rastin e Astrit Deharit, duke thënë se Kurti “nuk është dashur të qëndrojë asnjë ditë kryeministër pa e zbardhur rastin”, pasi, sipas tij, e ka pasur obligim ndaj familjes dhe qytetarëve.
Tahiri komentoi edhe çështjen e presidentit, duke thënë se Kurti duhet të reflektojë dhe të ketë bashkëpunim mes shqiptarëve, “që të mos koritet vendi”.
Ndërkaq, për Sami Lushtakun, ai tha se ka treguar shembull se askush nuk është mbi ligjin, ndërsa akuzoi Kurtin se “sillet si kaçak nëpër institucione”.



