Kurti nga Zvicra “shpërthen” ndaj ish-komandantëve të UÇK-së: Ose je patriot, ose je hajdut

Në një tubim të mbajtur të shtunën në Cyrih të Zvicrës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vijuar me kritika ndaj ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i lidhur disa prej tyre me periudhën e pasluftës dhe akuzat për korrupsion.

Kurti, i cili është edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, u shpreh se “nuk mund të jesh njëkohësisht patriot dhe hajdut”, duke theksuar se këto dy gjëra, sipas tij, përjashtojnë njëra-tjetrën.

Sipas tij, disa nga pjesëtarët e luftës, pas përfundimit të saj, “zgjodhën të pushojnë”, gjë që ai e interpretoi si hyrje në veprimtari korruptive, ndonëse nuk përmendi emra, raporton Spektatori.

“Patriotizmi nuk mund të bashkëjetojë me hajdutin; ose je patriot ose je hajdut. Nuk ka edhe çlirimtar edhe zullumqar; ose çlirimtar ose zullumqar. Ne jemi bashkë me ju për patriotët çlirimtarë kundër hajdutëve zullumqarë. Patriotizmi është punë, por patriotizmi nuk ka pushim. Nuk mund të thuash ‘po pushoj pak’. Sepse në këto vitet e pasluftës kemi shembuj të dikujt që ka qenë patriot, s’e mohojmë, por më pas ka thënë ‘po pushoj pak’. Ju e dini çfarë nënkupton ky ‘pushim’: nënkupton korrupsion”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se patriotizmi, sipas tij, është një angazhim i pandërprerë, i krahasueshëm me procesin e frymëmarrjes që vazhdon deri në fund të jetës.

Madje, ai përmendi edhe traditën shqiptare sipas së cilës, siç tha, “edhe pas vdekjes” disa njerëz lënë amanet që arkivoli t’u mbulohet me flamur kombëtar.

Lexo edhe:

Back to top button