Kaos në Aeroportin e Vlorës, Pacolli: Inxhinierë të huaj “të bllokuar si të burgosur” në kampin e MABCO-s

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke ngritur shqetësime për trajtimin e punëtorëve dhe inxhinierëve të përfshirë në projekt.

Në deklaratën e tij, Pacolli thotë se inxhinierë shqiptarë dhe nënkontraktorë nuk po lejohen të hyjnë në vendin e punës, ndërsa sipas tij, mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen të izoluar brenda kampit të MABCO-s në kushte të papranueshme.

“Edhe sot vazhdon e njëjta skenë e papranueshme në hyrje të Aeroportit të Vlorës. Punëtorët shqiptarë, inxhinierët dhe nënkontraktorët që kanë ndërtuar këtë aeroport, nuk po lejohen të hyjnë në vendin e tyre të punës. Hyrja vazhdon të mbahet e bllokuar nga roje private, nën praninë e Policisë së Shtetit.”

Ai shton se situata brenda kampit është edhe më shqetësuese, duke pretenduar se punonjësit e huaj janë të kufizuar në lëvizje dhe përballen me mungesa bazike.

“Mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen ende të izoluar brenda kampit të MABCO-s, në kushte krejtësisht të papranueshme. Ata nuk lejohen të dalin normalisht për të ushtruar punën e tyre… Sot ata kërkuan ushqim dhe medikamente. Dhe vetëm me shumë vështirësi arritëm t’u dërgojmë ndihmë bazike.”

Pacolli e cilëson situatën si shkelje të të drejtave themelore dhe i bën thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë urgjentisht.

“Jemi duke folë për shkelje serioze të të drejtave themelore njerëzore, të standardeve ndërkombëtare të punës… I bëj thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund kësaj situate të turpshme.”

Lexo edhe:

Back to top button