
Telekomi i Kosovës ka njoftuar se Gjykata Komerciale e Kosovës ka aprovuar kërkesën e saj për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ndaj kompanisë “ARTMOTION Sh.P.K”., lidhur me të drejtat ekskluzive për Kampionatin Botëror 2026, raporton Spektatori.
Sipas Telekomit, me Aktvendimin e datës 22 maj 2026, Gjykata ka ndaluar kompaninë ARTMOTION “që të reklamojë, promovojë, shesë, ofrojë apo shpërndajë pako të shërbimeve fikse që mundësojnë përcjelljen e Kampionatit Botëror 2026 / FIFA World Cup 2026 në Kosovë”.
Telekomi ka theksuar se është “bartësi dhe transmetuesi ekskluziv i të drejtave për FIFA World Cup 2026 në territorin e Republikës së Kosovës”.
“Çdo medium transmetues, operator kabllor, IPTV, OTT, platformë digjitale apo subjekt tjetër që nuk ka autorizim nga Telekomi i Kosovës, nuk posedon të drejtë për reklamim, promovim, shitje, ofertim apo shpërndarje të përmbajtjes që lidhet me FIFA World Cup 2026”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Kosovës në Facebook.
Tutje, Telekomi u ka bërë thirrje operatorëve dhe mediave që të përmbahen nga çdo promovim apo komunikim publik që mund të krijojë përshtypjen se posedojnë autorizim për transmetimin e Botërorit 2026.
“Çdo promovim i paautorizuar i këtij eventi mund të krijojë konfuzion te konsumatorët dhe të cenojë të drejtat ekskluzive të Telekomit të Kosovës”, thuhet më tej në reagim, ku paralajmërohen edhe hapa ligjorë ndaj shkeljeve të mundshme.



