
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se po vazhdon verifikimi i njehsorëve elektrikë pas ankesave të qytetarëve, ndërsa KEDS është gjobitur me 40 mijë euro për shkelje të konstatuara gjatë kontrollit.
Sipas MINTI-t, vetëm në dy ditët e fundit janë verifikuar 19 njehsorë në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë, raporton Spektatori.
Prej tyre, 7 kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi, njofton MINT.
“Raportet zyrtare të laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për ndërmarrjen e masave ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj KEDS-it, në vlerë prej 40,000 eurosh. Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit gjithashtu ka diskutuar për adresimin sa më të shpejtë të rasteve dhe mënyrat e kompensimit të dëmit ndaj konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e MINT-it.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit gjatë tre muajve të fundit ka ndërmarrë një sërë masash proaktive për trajtimin e ankesave të konsumatorëve. Si tregues i rritjes së besimit institucional të qytetarëve konsiderohet edhe rritja prej 35% e numrit të ankesave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.



