
Dy fronte gjyqësore ndaj Ekrem Llukës po zhvillohen në Slloveni dhe Kosovë, ku oligarku kosovar përballet me akuza për manipulime me aksione dhe shpëlarje të parave, raporton Spektatori.
Në Slloveni, biznesmeni i fuqishëm kosovar akuzohet nga Prokuroria Shtetërore e Sllovenisë për përfitim të paligjshëm përmes transaksioneve mes Telekom Sllovenisë – operatorit shtetëror slloven – dhe IPKO-s, kompanisë që operon në Kosovë.
Në vitin 2007, periudhë kur kishte hyrë në tregun e telekomunikacionit në Kosovë, shumicën e aksioneve të IPKO-s (75%) e zotëronte Telekom Sllovenia. Sipas aktakuzës, Lluka është përfshirë në një skemë financiare që lidhet me blerjen dhe shitjen e aksioneve të IPKO-s gjatë periudhës 2007–2009.
Në këtë rast, bashkë me oligarkun kosovar akuzohen edhe ish-drejtori i Telekom Sllovenisë, Bojan Dremelj, dhe ish-anëtari i Bordit, Dushan Mitiq.
Prokuroria pretendonte se Dremelj dhe Mitiq, në dëm të Telekom Sllovenisë, i kishin mundësuar Llukës – i cili me kompaninë dhe partnerët e tij e kishte fituar tenderin e parë në Kosovë për hapjen e operatorit të dytë të telefonisë mobile, por më pas ishte tërhequr në favor të konsorciumit të udhëhequr nga IPKO – që më vonë të fitonte 15 për qind të aksioneve të IPKO-s.
Më pas, Telekomi bleu sërish aksionet e Llukës dhe disa aksionarëve të vegjël. Sipas prokurorisë, Lluka kishte përfituar paligjshëm të paktën 11.5 milionë euro, ndërsa transaksioni me aksionet kishte qenë në dëm të Telekomit, shkruan Spektatori.
Në vitin 2013, gazeta sllovene “Dnevnik” kishte shkruar se Lluka kishte blerë një shtëpi elitare në bregdet më 22 qershor 2007, vetëm katër ditë pasi Telekom Sllovenia nënshkroi kontratën me IPKO-n.
Sipas raportimit të gazetës, për këtë shtëpi janë paguar mbi 400 mijë euro. Lluka asnjëherë nuk e ka sqaruar këtë çështje. Në shtator të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Lubjanë ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se këto veprime kanë qenë në dëm të Telekom Sllovenisë, duke i liruar nga akuzat Llukën dhe dy të tjerët.
Por, rasti ende është i hapur pasi Prokuroria ka paraqitur ankesë kundër vendimit në Gjykatën e Apelit. Paralelisht, në Kosovë ndaj Llukës po zhvillohet një proces tjetër gjyqësor që lidhet me akuza për shpëlarje parash.
Prokuroria Speciale e akuzon oligarkun Lluka dhe djalin e tij, Korabin, si dhe biznesmenin nga Shqipëria, Klodian Allajbeun, dhe dy të tjerë për shpëlarje të parave përmes falsifikimit të dokumenteve.
Dy të tjerët janë dy shtetasit shqiptarë, Igli Larashi, drejtor i spitalit “American Hospital Kosova”, dhe Edlira Malaj, pronare e “Medbrand KS”. Prokuroria Speciale pretendon se pesë ndërmarrësit dhe tri bizneset i kanë shpëlarë 3 milionë e 482 mijë euro.
Këtë, sipas Prokurorisë, ata e kanë bërë duke realizuar qarkullim fiktiv mes vete, gjë që, sipas Prokurorisë, ka buruar nga falsifikimi.
Nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, sipas Prokurorisë Speciale, është mundësuar transferimi dhe qarkullimi i parave nga një llogari te tjetra, me ç’rast një pjesë të parave ata e mbanin në posedim e dhe i tërhiqnin në emër të dividendit, të cilën ata e kanë përdorur për blerje patundshmërish. Veprimet për të cilat akuzohen ata, sipas aktakuzës, kanë ndodhur në vitet 2014 dhe 2015.
Të akuzuarit, përfshirë oligarkun nga Peja, pritet të ballafaqohen së shpejti në gjykatë me këto akuza, pasi përpjekja e mbrojtjes së tyre për ta hedhur aktakuzën pa shkuar në gjykatë, është rrëzuar përfundimisht nga gjykata. Gjykata e Apelit i dha fund kësaj çështjeje në një aktvendim të marrë më 30 prill të këtij viti.
Apeli e konfirmoi aktakuzën ndaj Llukës dhe të tjerëve, raporton Spektatori. Ankesa e mbrojtjes së Llukës për hedhje të aktakuzës me pretendimin se nuk ekzistonin prova të mjaftueshme që e mbështetnin dyshimin e bazuar se të dyshuarit kanë kryer vepër penale, ishte pranuar nga një gjyqtar i Gjykatës Themelore vitin e kaluar.
Ky vendim ishte rrëzuar nga Apeli. Në rivendosje, Themelorja e kishte vërtetuar aktakuzën.
Ekrem Lluka është një biznesmen kosovar me sipërmarrje në industri të ndryshme si telekomunikacioni, sigurimet, ndërtimi, energjia dhe shëndetësia. Ai është themelues i korporatës “Dukagjini”, e cila kontrollon biznese në sektorët e ndërtimit, sigurimeve dhe industrisë mediale e botuese./Spektatori.com
Apeli ‘fundos’ Allajbeun, Llukën dhe të tjerët – aktakuza mbetet në fuqi



