
Lidhja Demokratike e Kosovës pritet t’i hyjë garës në zgjedhje me dy kandidatura, rrjedhimisht me dy synime: kryeministrin dhe presidentin.
Për të dyjat pozitat, në garë janë Vjosa Osmani, respektivisht Lumir Abdixhiku.
Lajmin e bëri të ditur edhe zyrtarisht Kujtim Shala nga LDK-ja.
“Me këtë bashkëpunim, do të kthehet Vjosa Osmani, një numër i kolegëve që janë larguar dhe do të vijnë të tjerë të rinjë. Kjo është marrëveshja që duhet të miratohet të shtunën”,tha Shala në T7.
“Sipas marrëveshjes Vjosa Osmani do jetë bartëse e listës dhe kandidate për presidente, dhe kjo duhet të miratohet. Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër dhe numër 2 në listë, Kjo është marrëveshja”, tha ai.
Këtë lajm, e konfirmoi më pas edhe Jehona Lushaku-Sadriu.
“Qytetarët kanë me pasë të qartë kush është president që prezantohet prej nesh, ua kemi dhënë mundësinë që Vjosa Osmani, pra atë që Albin Kurti nuk ua dha, LDK do t’ua japë qytetarëve mundësinë që ta votojnë Osmanin për presidente. Sepse menjëherë pas konstituimit të Kuvendit do të bëhet zgjedhja e presidentit. Prandaj ne ua kemi dhënë mundësinë që të zgjidhet me votë qytetare si kandidate për presidente”, tha ajo.
“Ndërkohë ne e kemi kryetarin e partisë si kandidat për kryeministër, dhe ai e ka përgjegjësinë e plotë që ta prezantojë programin qeverisës”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Për këtë çështje dhe kandidaturat e LDK-së, u pyet dje kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai tha se për poste, vendos vetëm populli.
“Të gjithë të cilët kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë vizion e ide për të mirën e qytetarëve, le të angazhohen, le të punojnë me çka dinë e mundën dhe iu dëshiroj sukses. Por duhet ta keni parasysh që për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie, asnjë pretendent për çfarëdo posti, për këtë vendos populli. Dhe mos harroni qysh ka vendosur populli para katër muajsh. Pra populli ne zgjedhjet e 21 dhjetorit, 51.1%. Jo 50%, jo 51, po 51.1% ia dha Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast ne iu afruam shumë pranë asaj shifre 500.000 vota apo 500.000 zemra siç themi ne, dhe vetëm shikoni rezultatin konkret. Lëvizja Vetëvendosje 57 deputetë, 57 deputetë. Ndërkaq LDK, PDK, AAK së bashku 43 deputetë. Pra ato trija bashkë 43 deputetë”, tha Kurti para mediave.
“Ne Lëvizja Vetëvendosje me partinë Guxo edhe alternativën e PSHDK-në, 57 deputetë. Pra nuk jemi duke u krahasuar dy parti, po e gjithë opozita është 43 deputetë e Vetëvendosja është 57, plus ne i kemi edhe 9 deputetë të komuniteteve joshumicë, përkatësisht pakicave, gjithsej bëjmë 66. Rrjedhimisht shikoni, njerëzit kanë dëshira, edhe kjo është normale, por nuk duhet me i ngatërru dëshirat me faktet”, tha Kurti.
Kurti akuzoi partitë opozitare për shkuarjen në zgjedhje.
“Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme natyrisht ju e dini që data është caktuar 7 qershori dhe kjo ka imponuar që deri më datën 12 maj ne ti dorëzojmë listat e kandidatëve tonë për deputet, pra i kemi edhe pesë ditë, do të kemi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, do të kemi ndoshta edh ja dy mbledhje të kryesisë së LVV-së deri atëherë unë nuk mund të flas për emra, për ajo që e di është që ne jemi duke e zbatuar programin dhe zotimet tona me të cilat i kemi fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe 28 dhjetori nuk ishte para pesë vjetëve, por i bie para katër muajve, rrjedhimisht nuk mund të themi që kemi një situatë krejtësisht të re. Kemi zgjedhje të përsëritura që nuk ka qenë e thënë të mbahen, mirëpo meqë bojkotoi opozita, meqë nuk dëshiroi të jetë as minimalisht konstruktive ja po shkojmë edhe njëherë drejt 7 qershorit për ta përsëritur e tejkaluar 28 dhjetorin”, ka deklaruar Kurti.
Ai theksoi se sa herë janë munduar ta ndalin VV-në, kjo parti është rritur.
“Po besoj që qytetarët e Republikës e kanë kuptuar që çdo herë kur përpiqesh t’ia vësh digën një rrjedhe socio-historike e politike qysh është Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të ketë gjithmonë më shumë prurje. Pra sa herë na kanë vënë diga, është rritë prurja. E tash bash saktësisht sa do të jetë, do ta marrim vesh në mbrëmjen e 7 qershorit”, tha ai.



