
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur prezantimin e rezolutës në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO, raporton Spektatori.
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të Presidencës në Facebook.
“Mirënjohje për Përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”, ka theksuar u.d. presidentja Haxhiu.
Një ditë më parë, kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler prezantuan një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.
Në rezolutë thuhet se qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë një “rast bindës” për anëtarësimin e saj në Aleancë.



