Nuk ia përmendi kurrë emrin, por Kurti e goditi direkt Osmanin nga fjalimi në Kuvend

Albin Kurti është ruajtur fort në raport me qëndrimet ndaj Vjosa Osmanit, ish-partneres së tij politike të cilën me shumë gjasë do ta ketë rivale në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Dhe, zgjedhjet janë jo më larg se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës të martën, si pasojë e përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit.

Në vazhdimin e fundit të seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, e cila u ftua nga mazhoranca dhe u bojkotua nga opozita, kryeministri, njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, shpalli “hapjen” e fushatës së re zgjedhore.

Nga salla e seancave të parlamentit, shefi i qeverisë sulmoi pa mëshirë partitë opozitare, të cilat i fajësoi për dërgimin e vendit në zgjedhje. I akuzoi për tentim-zhbërje të vullnetit të popullit.

“Demokracia do edhe institucione. Nuk do vetëm vullnet të qytetarëve dhe këtu është sjellja joshtetërore e anti-institucionale e udhëheqjes aktuale. Ata nuk mund ta zhbëjnë vullnetin e popullit, por ata nuk mund ta zhbëjnë atë”, tha Kurti në fjalimin e fundit të mbajtur gjatë legjislaturës së fundit që mbaroi mandatin mbrëmë.

“Në vitin e kaluar ishte pengesa për t’u zgjedhur kryetarja e Kuvendit e më pas qeveria, e pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit nuk e ndaluan dot këtë gjë – tash po kapen te çështja e presidentit”, tha ai.

Kurti akuzoi me emër PDK-në dhe LDK-në për refuzim të “ofertave gjeneroze” për bashkëpunim, ndërsa pa ia përmendur emrin ai e sulmoi fshehtësisht edhe Vjosa Osmanin, ish-presidenten dhe ish-kryetaren e listës Guxo.

Refuzimin e përfaqësuesve të partive opozitare për takim me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës më 6 mars, Kurti e ndërlidhi me dekretin e shpallur nga ish-presidentja Osmani, të cilin e cilësoi të paligjshëm, anti-kushtetues.

“Ndërkohë që refuzonin edhe takimet, paçka se neve na kishin thënë që kur të vije aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese do të mund të takohemi, pasiqë pritej aktgjykimi lidhur me dekretin presidencial i cili ishte një orvatje për ta shpërndarë në mënyrë jokushtetuese Kuvendin e Republikës, përkatësisht legjislaturën e dhjetë”, tha Kurti.

Ish-presidentja Osmani kishte shprehur ambicie për një mandat të dytë, por kandidatura e saj nuk mori përkrahje nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo përflitet se do të garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare me një listë të veçantë e cila është raportuar se do të garojë nën siglën e Lidhjes Demorkatike të Kosovës.

Lexo edhe:

Back to top button