
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se në Departamentin Amerikan të Shtetit është takuar me Daniel J. Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, raporton Spektatori.
“E falënderova z. Lawton për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës, nga liria jonë deri te ndërtimi i demokracisë dhe institucioneve shtetërore”, ka shkruar Haradinaj pas takimit.
Ai ka theksuar se në këtë takim ka ritheksuar se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO jo vetëm që do të forcojë sigurinë tonë, por do të kontribuojë gjithashtu në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin euroatlantik”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj po qëndron në SHBA, ku më herët ka bërë të ditur se ka zhvilluar një vizitë edhe në Kongresin Amerikan, ku ka kërkuar mbështetjen e presidentit Donald Trump dhe të Kongresit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Për këtë çështje, ai ka zhvilluar bisedime edhe me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions.



