LDK del nga koalicioni me Faton Pecin në Mitrovicë

Kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka konfirmuar prishjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë komunë.

Sipas Plakollit, shkak për këtë vendim është mosrespektimi i marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfillja e propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së në Mitrovicë. Ai ka theksuar se emërimi i drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport është bërë në mënyrë të njëanshme nga kryetari i komunës, Faton Peci, pa asnjë paralajmërim dhe në kundërshtim me dakordimet paraprake.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë, njofton opinionin publik se për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës”, ka shkruar Plakolli në Facebook, raporton Spektatori.

Ai ka sqaruar se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe se vendimi për dalje nga koalicioni është obligativ për të gjithë anëtarët dhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.

Ndërkohë, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se “me 3% nuk punon as iPhone-i”, duke iu referuar rezultatit të LDK-së në zgjedhjet lokale në Mitrovicë.

Lexo edhe:

Back to top button