
Arian Tahiri, kryetar i PDK-së në Mitrovicë, ka dënuar aktin e djegies së një bageri në Mitrovicë, një ditë pasi ishin rrëzuar disa lokale në hapësira publike, raporton Spektatori.
Tahiri e ka cilësuar këtë veprim si akt të papranueshëm.
Në reagimin e tij, Tahiri ka bërë të ditur se, si kryetar i Degës së PDK-së në Mitrovicë, ka zhvilluar një bisedë telefonike me pronarin e kompanisë “Euro Ndërtimi”, të cilit i është djegur mjeti i punës pas kryerjes së detyrës së tij.
“Ky akt kriminal është i papranueshëm dhe përbën një tentativë të qartë për frikësimin e qytetarëve tanë”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka shtuar se Dega e PDK-së në Mitrovicë e dënon fuqishëm këtë akt dhe ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse, hetim të plotë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë.



