
Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj. Kështu iu përgjigj kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thirrjes së Hykmete Bajramit, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, duke kërkuar që i njëjti hap të ndërmerrej edhe nga vetë Abdixhiku, raporton Spektatori.
Reagimi i Abdixhikut vjen pas rezultatit të rëndë zgjedhor të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, rezultat që ka nxitur debate të brendshme dhe kërkesa për përgjegjësi politike. Abdixhiku theksoi se ai tashmë ka ndërmarrë hapin më moral që mund ta bëjë një kryetar partie, duke ofruar dorëheqjen e tij dhe duke hapur rrugën për garë të lirë brenda partisë.
“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai la të kuptojë se ndaj tij po tentohet një “eliminim politik”, por theksoi se për çështje të tilla vendos anëtarësia dhe jo individë të veçantë. Sipas tij, LDK-ja është institucion dhe çdo vendim duhet të merret me rregull, dinjitet dhe përmes Kuvendit të partisë.
Abdixhiku bëri thirrje për qetësi dhe debat të hapur brenda strukturave partiake, duke theksuar se vendimi për fatin e tij politik do të merret vetëm nga Kuvendi i LDK-së dhe se ai do ta respektojë çdo vendim që del prej tij.
“Mbi çdo emër është LDK”, përfundoi Abdixhiku, duke nënvizuar se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas partisë dhe parimeve të saj.



