
Komisioni Evropian pritet të miratojë në ditët në vijim pagesën e parë të rregullt të mjeteve për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, raporton Spektatori, duke iu referuar burimeve të Radio Evropa e Lirë (REL).
Serbia tashmë ka përfituar mjete në formë të parafinancimit nga ky plan, ndërsa pagesa e radhës do të jetë në vlerë prej 61 milionë eurosh. Fillimisht, kësti i parë ishte planifikuar të arrinte shumën prej 112 milionë eurosh, por për marrjen e plotë të kësaj shume, autoritetet serbe duhej të përmbushnin shtatë hapa reformues.
Sipas burimeve brenda Komisionit Evropian, Serbia deri më tani ka përmbushur plotësisht vetëm tri nga shtatë reformat e parashikuara, çka ka bërë që Brukseli ta zvogëlojë shumën e këstit të parë. Pjesa e mbetur e mjeteve do të shpërndahet vetëm pasi të përmbushen edhe obligimet e tjera reformuese.
REL raporton se Serbia aktualisht është e fundit në radhë ndër shtetet e rajonit që konsiderohen se kanë përmbushur kushtet dhe kanë ndërmarrë reforma të rëndësishme për harmonizim me standardet e Bashkimit Evropian.
Pagesën e parë nga kjo paketë financiare tashmë e kanë marrë në tetor të vitit të kaluar Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, pa mjete nga ky plan, për momentin, kanë mbetur Kosova dhe Bosnje e Hercegovina.
Komisioni Evropian e ka miratuar Agjendën e Reformave të Bosnjë e Hercegovinës vetëm në dhjetor, ndërsa shpërndarja e mjeteve financiare, përfshirë parafinancimin, mund të fillojë vetëm pasi të hyjnë në fuqi marrëveshjet përkatëse dhe të përmbushen të gjitha kushtet. Kosova, nga ana tjetër, ende nuk i ka miratuar marrëveshjet e kredisë me Komisionin Evropian për shkak të krizës institucionale të vitit të kaluar, e cila pamundësoi formimin e një ekzekutivi të ri.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është paketa financiare më ambicioze e Bashkimit Evropian për rajonin, me vlerë totale prej 6 miliardë eurosh. Nga kjo shumë, 4 miliardë euro janë kredi të favorshme, ndërsa 2 miliardë euro janë mjete të pakthyeshme. Mjetet do të shpërndahen sipas numrit të banorëve dhe prodhimit të brendshëm bruto të secilit shtet.
Sipas planeve paraprake, për Serbinë janë paraparë gjithsej 1 miliard e 586.4 milionë euro, ndërsa Shqipëria do të përfitojë 922.1 milionë euro, Kosova 882.6 milionë euro, Bosnje e Hercegovina 1 miliard e 85 milionë euro, Maqedonia e Veriut 750.4 milionë euro dhe Mali i Zi 383.5 milionë euro.
Të gjitha projektet e financuara nga Plani i Rritjes duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe afatet nuk do të mund të shtyhen. Në raste të mosrespektimit të afateve, mjetet e humbura rishpërndahen te shtetet e tjera të rajonit, ashtu siç ndodhi me Bosnje e Hercegovinën, e cila në korrik të vitit të kaluar humbi 108 milionë euro.



