
Katër produkte farmaceutike kishin kaluar afatin e përdorimit, por vazhdonin të figuronin si stok aktiv në sistemin zyrtar. Auditori identifikoi gjithashtu të dhëna të pasakta, dobësi në kontrollet e brendshme dhe mospërputhje në regjistrat e barnave, raporton Spektatori.
Barna me vlerë mbi 95 mijë euro vazhdonin të figuronin si stok aktiv i Ministrisë së Shëndetësisë edhe pse afati i tyre i përdorimit kishte kaluar, sipas një auditimi të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2025, i cili ka ngritur shqetësime për menaxhimin e stokut farmaceutik dhe besueshmërinë e të dhënave në sistem.
ZKA ka konstatuar se katër artikuj farmaceutikë me vlerë totale prej 95,520 euro nuk ishin regjistruar si të skaduar në Sistemin e Menaxhimit të Stokut Farmaceutik, pavarësisht se afati i tyre i përdorimit kishte kaluar.
Si pasojë, vlera e tyre vazhdoi të paraqitej në raportet zyrtare si pjesë e stokut ekzistues, duke krijuar një pasqyrë jo të saktë të gjendjes reale të barnave në dispozicion.
“Moslargimi i artikujve të skaduar nga regjistrat ka rezultuar në mbivlerësimin e stokut farmaceutik dhe paraqitjen jo të saktë të tij në pasqyrat financiare”, thuhet në gjetjen e auditorit.
Gjetjet e auditimit tregojnë se problemi nuk ishte i izoluar. Përveç barnave të skaduara, auditorët identifikuan një sërë mangësish në regjistrimin dhe administrimin e stokut.
Në disa raste, produktet figuronin pa çmim, në raste të tjera daljet ishin regjistruar me sasi decimale, ndërsa u gjetën edhe mospërputhje mes datave të skadencës të shënuara në sistem dhe atyre që gjendeshin fizikisht në produkte.
Megjithëse këto mangësi nuk u vlerësuan se kishin ndikim material financiar, ato konsiderohen tregues të dobësive në kontrollin e brendshëm dhe në integritetin e të dhënave, shkruan Spektatori.
Në thelb, çështja nuk lidhet vetëm me katër artikuj farmaceutikë. Gjetjet e auditimit tregojnë se mbajtja e barnave të skaduara në sistem si stok i vlefshëm sinjalizon dobësi në mekanizmat që duhet të monitorojnë lëvizjen, skadencën dhe largimin e produkteve nga inventari.
Kur të dhënat në sistem nuk përputhen me gjendjen reale në depo, institucionet rrezikojnë të marrin vendime mbi baza të pasakta – nga planifikimi i furnizimeve deri te raportimi financiar.
“Këto gjetje tregojnë për dobësi në kontrollet e brendshme lidhur me menaxhimin e stokut farmaceutik, si dhe mungesë të integritetit dhe besueshmërisë së të dhënave në sistem”, vlerëson auditori.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të forcojë kontrollet e brendshme dhe të sigurojë që produktet e skaduara të identifikohen dhe largohen me kohë nga përdorimi dhe nga regjistrat e stokut.
Rekomandimi përfshin gjithashtu harmonizimin e të dhënave në sistem me gjendjen reale fizike të produkteve, si dhe kryerjen e verifikimeve periodike, veçanërisht për datat e skadencës.
Menaxhmenti i Ministrisë së Shëndetësisë – që aktualisht udhëhiqet nga ministri në detyrë, Arben Vitia – është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së./Spektatori.com



