32 persona u angazhuan pa konkurs në Komunën e Kamenicës

Një mekanizëm që ligji e lejon vetëm për raste të veçanta është përdorur për të mbushur vende të rregullta pune. Auditori ngre alarmin për mungesë transparence dhe konkurrencë të shmangur.

Komuna e Kamenicës është përballur me një nga gjetjet më serioze të Zyrës Kombëtare të Auditimit, pasi dhjetëra punonjës janë angazhuar jashtë procedurave që ligji i konsideron të detyrueshme për institucionet publike, raporton Spektatori.

Raporti i auditimit për vitin 2025 konstaton se komuna, e udhëhequr nga kryetari Kadri Rahimaj, kishte angazhuar 32 persona përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), pa zhvilluar procedurat e prokurimit publik dhe pa organizuar proces të rregullt rekrutimi.

Por, sipas auditorëve, problemi nuk ishte vetëm mënyra se si u nënshkruan kontratat.

Ata gjetën se këta persona nuk ishin angazhuar për shërbime profesionale apo detyra të përkohshme, siç e parasheh ligji, por për të kryer punë që u takojnë pozitave të zakonshme në administratën komunale.

“Komuna kishte angazhuar 32 punonjës përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta, pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe pa aplikuar procedurë të rekrutimit me kritere përzgjedhëse. Për më tepër, angazhimi i tyre ka qenë për kryerjen e detyrave që i përkasin pozitave të rregullta të punës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ligji është i qartë. Marrëveshjet për shërbime të veçanta mund të përdoren vetëm kur institucioni ka nevojë për ekspertizë ose shërbime që nuk mund t’i mbulojë me stafin ekzistues. Ato nuk janë menduar si rrugë alternative për të plotësuar vendet e zakonshme të punës.

Auditimi evidenton se shkeljet nuk mbarojnë këtu, raporton Spektatori.

Në 10 raste, kontratat kishin zgjatur më shumë sesa afati maksimal i lejuar me ligj. Sipas Ligjit të Punës, kontratat për detyra specifike nuk mund të zgjasin më shumë se 120 ditë brenda një viti, por auditorët konstatuan se ky kufi ishte tejkaluar.

Komuna e ka arsyetuar këtë praktikë me mungesën e pozitave të miratuara në Ligjin për Buxhet. Megjithatë, auditimi nënvizon se mungesa e vendeve të aprovuara nuk e përjashton institucionin nga respektimi i ligjit.

Për auditorët, pasoja nuk është vetëm procedurale. Ata paralajmërojnë se kur shmangen konkursi dhe kriteret e përzgjedhjes, vihet në pikëpyetje vetë transparenca e punësimit në sektorin publik.

“Anashkalimi i procedurave të prokurimit dhe procedurave tjera përkatëse për angazhimin e stafit nuk mundëson zbatimin e kërkesave ligjore dhe transparencën e procesit. Kjo praktikë eliminon konkurrencën e hapur dhe rrit rrezikun e angazhimit të personave jo adekuatë për pozita dhe detyra të caktuara, duke ndikuar negativisht në cilësinë e punës”, vlerëson raporti.

Me fjalë të tjera, sipas auditimit, një procedurë që duhej të përdorej vetëm si përjashtim është shndërruar në mënyrë punësimi, duke anashkaluar garën e hapur për vendet e punës dhe mundësinë që qytetarët të konkurrojnë në kushte të barabarta.

Për këtë arsye, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë një rekomandim të qartë kryetarit të Komunës së Kamenicës: pozitat e rregullta të mbushen vetëm përmes procedurave ligjore të rekrutimit, ndërsa marrëveshjet për shërbime të veçanta të përdoren vetëm në rastet që i lejon ligji dhe përmes procedurave të prokurimit publik.

Menaxhmenti i Komunës së Kamenicës është pajtuar me gjetjen dhe rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit./Spektatori.com 

Lexo edhe:

Back to top button