
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po argumenton se lufta me Iranin ka “përfunduar”, duke iu referuar armëpushimit që ka nisur në fillim të muajit prill, raporton Spektatori.
Ky qëndrim do t’i mundësonte Shtëpisë së Bardhë të shmangte nevojën për të kërkuar miratimin e Kongresit për zgjatjen e luftës, në kuadër të afateve të përcaktuara nga “War Powers Resolution”.
Trump përballej me një afat për të përfunduar luftën ose për të paraqitur argumente para Kongresit amerikan për vazhdimin e saj.
Një zyrtar i lartë i administratës, duke folur për Associated Press në kushte anonimiteti, ka deklaruar se për qëllimet e këtij ligji, “luftimet që nisën të shtunën, më 28 shkurt, janë përfunduar”.
Sipas tij, ushtria amerikane dhe Irani nuk kanë shkëmbyer zjarr që nga armëpushimi dyjavor, i cili ka filluar më 7 prill.
Këto deklarata vijnë edhe pas komenteve të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili në një seancë dëgjimore në Senat ka thënë se e kupton që afati 60-ditor është ndalur gjatë armëpushimit.
Megjithatë, pavarësisht armëpushimit, Irani vazhdon të mbajë kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Marina amerikane po vazhdon bllokadën ndaj tankerëve iranianë të naftës.



