ZRRE ende pa vendim për tarifat e energjisë në Kosovë

Çdo vit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) merr vendim për tarifat e reja të energjisë. Zyrtarë të këtij institucioni kanë konfirmuar për Radio Kosovën se ende nuk dihet nëse do të ketë ulje apo rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ekonomistët paralajmërojnë se çdo rritje eventuale do ta rëndonte edhe më shumë barrën ekonomike të qytetarëve, raporton Spektatori.

ZRRE pritet që në muajin prill të këtij viti të marrë vendime të reja lidhur me tarifat. Zëdhënësi i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka deklaruar për Radio Kosovën se aktualisht nuk ka një vendim nëse tarifat do të ulen, do të rriten apo do të mbesin të njëjta.

Ai ka theksuar se Kosova aktualisht po importon energji elektrike në vlerë rreth 90 milionë euro, me një çmim mesatar prej 126 euro për megavat-orë, për të mbuluar konsumin vendor.

“Sapo ka filluar procesi i përshtatjes së tarifave, i cili zgjat deri në fund të marsit. Nëse rezulton se tarifat kanë qenë të mbivlerësuara, atëherë konsumatorët përfitojnë në shqyrtimin e ardhshëm tarifor. Vendimi përfundimtar merret në prill, pas analizave të ekspertëve të ZRRE-së. Në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë mundësi”, tha Pepaj.

Sipas tij, pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga termocentralet, ndërsa burimet e ripërtërishme marrin pjesë me rreth 5 për qind të prodhimit të përgjithshëm. Importi mbulon rreth 10–15 për qind të nevojave.

Njohësi i ekonomisë, Ardijan Sahiti, ka vlerësuar se një rritje e çmimit të energjisë do të kishte pasoja serioze për ekonomitë familjare.

“Rritja e çmimit të energjisë automatikisht rrit edhe shpenzimet e tjera, ndërkohë që pagat nuk kanë lëvizur. Kjo ndikon negativisht jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në mirëqenien sociale dhe psikologjike të qytetarëve”, ka deklaruar Sahiti për Radio Kosovën.

Sipas rregullave në fuqi, ZRRE në fund të çdo viti bën përshtatjen e të hyrave të lejuara dhe tarifës së rregulluar me pakicë. Rritja e fundit e energjisë elektrike në Kosovë kishte qenë mbi 15 për qind

Lexo edhe:

Back to top button