
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar gjatë ditës së djeshme se Bashkimi Evropian ka vendosur që t’ia heqë Kosovës masat ndëshkuese në fund të muajit janar, raporton Spektatori.
Gjatë ditës së sotme, Osmani ka falënderuar liderët e Bashkimit Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës për, siç ka thënë ajo, vlerësimin e angazhimit të palodhur të vendit.
Në një postim publik, Osmani ka theksuar se takimet intensive gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel kanë sjellë rezultate konkrete për Kosovën.
“Takimet intensive gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel sollën rezultate konkrete për vendin tonë. Më në fund u mor vendimi që të hiqen masat e padrejta të vendosura ndaj Kosovës. Falënderoj përzemërsisht liderët e Bashkimit Evropian, si dhe të gjithë partnerët tanë, për vlerësimin e angazhimit të palodhur të Kosovës”, ka shkruar Osmani.



