
Sigurisht që LVV nuk arriti as 60% e as 70%, sa shpresonte. Arriti të tkurret në nivelin 45%. Megjithatë, me kaq shumë dështime në ekonomi, energji, arsim, shëndetësi e politikë të jashtme… është vështirë të kuptohet se si LVV vazhdon të qëndrojë kaq lart dhe të dominojë skenën politike.
Shkruan: Shenoll Muharremi
Nuk është viti i parë. Ajo po qeveris dhe është në pushtet prej 5-6 vitesh, në një periudhë kur çmimet janë rritur në mënyrë dramatike dhe qindra mijëra kosovarë e kanë lëshuar vendin për të mbijetuar dhe për të gjetur një jetë më të mirë.
Shpresat janë zbehur për kosovarët ndërkohë se mbi 70% e të rinjëve e mendojnë largminin nga vendi, ndërsa besimi në institucionet publike ka rënë si kurrë më parë. Pak njerëz sot, fatkeqësisht, besojnë në një të tashme dhe të ardhme më të mirë.
Kemi kriza të vazhdueshme, bllokada e paraliza institucionale. Nuk ka as stabilitet, as parashikueshmëri për atë se çfarë do të ndodhë nesër.
Nuk ka as investime serioze në energji dhe sektor privat e prodhim vendor të cilat janë thelbësore për ekonominë dhe luftimin e inflacionit, ndërsa asnjë projekt madhor nuk është zhvilluar gjatë tri mandateve të LVV-së.
Rrugët janë të pamirëmbajtura dhe njerëzit po vdesin nga pakujdesia e qeverisë. Shumë gjëra absurde po ndodhin.
Po blihen votat me nga 100 euro me para publike, ndërsa kemi qindra mijëra tenderë njëburimorë që jepen larg syve të qytetarit, pa i përfillur rregullat e prokurimit publik, transparencës dhe llogaridhënies.
Kosova po stagnon me integrimin ne BE dhe aplikacioni i saj nuk po konsiderohet tash me vite. Kishim sankcione nga avantuar politike nacionaliste në veri e gjithashtu u pezullu dialogu strategjik me SHBA.
Në këtë kontekst dhe situatë, është e paimagjinueshme se si një parti, përkundër faktit se po bie dhe po tkurret, vazhdon të fitojë kaq shumë. Përveç nëse fokusohemi edhe te partitë e tjera dhe alternativat që ato ofrojnë.
Kjo më së miri sinjalizon se nevojitet një reformë e thellë dhe e gjerë, sidomos te dy partitë më të mëdha opozitare.
Arsyeja kryesore pse, përkundër të gjitha këtyre dështimeve, LVV nuk po bie më shumë, janë pikërisht partitë opozitare dhe ajo që ato po ofrojnë, si dhe kursi që po ndjekin.
Rrjedhimisht, nuk ka dyshim se nuk duhet humbur kohë për të nxjerrë mësime nga dy vitet e fundit elektorale. Këto parti opozitare duhet të ndryshojnë nëse dëshirojnë të mbesin relevante dhe të ofrojnë alternativë.
Nëse nuk e bëjnë këtë, me siguri, jo shumë larg, do të lindin ide dhe grupacione të reja që do ta sfidojnë dominimin e LVV-së drejtpërdrejt dhe fuqishëm, jo me episode të izoluara, por në baza të përditshme.
Sot LVV është e lodhur dhe e dëmtuar nga gabimet e saj në qeverisje, por nuk po ka kush ta rrëzojë. Ajo po mbetet gjallë, mbase sepse nuk ka alternativa bindëse. Kjo duhet të ndryshojë. Dhe sigurisht që, nëse nuk ndryshojnë këto dy parti opozitare, ndryshimin do ta imponojë koha.
Situata aktuale është jashtëzakonisht e paqëndrueshme. LVV nuk është më adekuate për të qeverisur vendin; ka dëshmuar se nuk i ka kapacitetet, vizionin dhe drejtimin që i nevojiten Kosovës. Nga ana tjetër, partitë e tjera nuk po duken se po ofrojnë zgjidhje.
Koha, me siguri, do ta zgjidhë këtë problem. Më së miri do të ishte që zgjidhja të vinte brenda strukturës aktuale politike. Por nëse kjo po dëshmohet e pamundur, atëherë koha dhe nevoja do të nxjerrin aktorë të rinj që do të jenë në gjendje të sjellin ndryshimin aq të nevojshëm për Kosovën



