Vengu: Kam ftuar Serbinë të na bashkohet në marrëveshjen me Kosovën dhe Kroacinë

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka deklaruar se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nuk kanë nevojë t’i marrin leje askujt për të nënshkruar marrëveshjen në fushën e mbrojtjes, duke iu përgjigjur deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me këtë marrëveshje, raporton Spektatori.

Vengu ka bërë të ditur se ftesa për t’iu bashkuar kësaj marrëveshjeje i ishte bërë edhe Serbisë.

“Patjetër kam vënë re herë pas here një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd. Mund t’ju them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë t’i bashkohet kësaj iniciative. Jua merr mendja që nuk kam marrë një përgjigje për sa i përket kësaj ftese. Mund t’ju them që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik arsimor por edhe të prodhimit ushtarak, të bashkëpunojnë”, ka deklaruar Vengu.

Ai ka sqaruar edhe dy qëllimet kryesore të dakordimit me Kosovën.

“Me Kosovën kemi dakordësi për sa i përket mjeteve të blinduara. Dhe kjo vjen për dy arsye: e para sepse lexojmë rreziqe dhe kërcënime në rajon të njëmendje. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, kanë nevojë të marrin leje për sa i përket kësaj pjese. E treta: mikpresim edhe vende të tjera të na bashkohen. Është partneritet i hapur. Shumëkush e quan marrëveshje të mbrojtjes. Kemi vënë re që të tre vendet kanë nevoja të ngjashme për sa i përket rritjes së kapaciteteve”, theksoi ai.

Lexo edhe:

Back to top button